8 November 2026, 13:58
Nga Auron Tare
Auron Tare
Kështu u prezantua senatori i zgjedhur i Michiganit, mëngjesin e sotëm në Virginia, ku mbajti një fjalim përpara një organizate që përfaqëson komunitetet arabe në Amerikë. Një fjalim i shkurtër, por mjaft frymëzues, nga një politikan i ri, pjesëtar i komunitetit mysliman të Michiganit, i cili sapo ka shënuar një moment historik në politikën amerikane. Gara e tij për në Senatin amerikan u ndoq me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin se ai do të jetë myslimani i parë që do të ulet në këtë institucion, por edhe për shkak të fushatës së ashpër që u zhvillua kundër tij, ku paragjykimet fetare dhe identitare u kthyen në pjesë të debatit politik.
Në këtë fushatë u përfshinë drejtpërdrejt edhe presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance. Ironikisht, kjo vëmendje e madhe mediatike bëri që El-Sayed të fitonte një profil edhe më të gjerë publik. Por, nga fjalimi i mëngjesit të sotëm, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte rrëfimi i tij për përpjekjet që kishte bërë që në moshë të re për të ruajtur identitetin e vet. «Që në shkollë», tregoi El-Sayed, «njerëzit më shikonin ndryshe. Disa ankoheshin se nuk arrinin ta shqiptonin emrin tim, disa e përçmonin, ndërsa të tjerë më shikonin me frikë. Por unë kam luftuar gjithmonë për identitetin tim. Jam prezantuar gjithmonë si Abdulrahman Mohamed El-Sayed. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se identiteti ynë kulturor, fetar dhe njerëzor është i rëndësishëm për çdo individ». Në fakt, një pjesë e konsiderueshme e sulmeve ndaj tij u përqendrua pikërisht te emri dhe përkatësia fetare. Emri i tij u përdor për të ushqyer paragjykime dhe për ta paraqitur si një kërcënim për sigurinë amerikane. Një retorikë që u amplifikua edhe nga figura të larta të politikës amerikane.
Po i shkruaj këto radhë si një reflektim për të gjithë ata shqiptarë që, pasi largohen nga vendi i tyre, përpiqen të integrohen në shoqëritë ku vendosin të jetojnë, por shpesh e ngatërrojnë integrimin me braktisjen e identitetit. Në shumë raste, në përpjekjen për t'u bërë sa më të pranueshëm në shoqëritë e reja, fillojnë të fshehin emrat, gjuhën, traditat, kulturën e madje edhe besimin e tyre. Ndonjëherë, këtë proces ua përcjellin edhe fëmijëve, duke bërë që brezi i parë i lindur në emigracion të rritet pa një lidhje të fortë me origjinën dhe historinë e familjes. Por a është kjo ajo që duhet të kuptojmë me integrim? A duhet të heqim dorë nga ajo që jemi për t'u bërë pjesë e një shoqërie tjetër? A duhet të kemi turp nga emri ynë, nga gjuha e prindërve apo nga historia dhe kultura që mbartim?
Shembulli i Abdulrahman Mohamed El-Sayed na kujton diçka thelbësore, mund të jesh plotësisht amerikan pa pushuar së qeni arab dhe mysliman. Mund të jesh qytetar i një shoqërie të re pa mohuar historinë dhe identitetin e familjes prej nga vjen. Integrimi nuk është asimilim. Dhe asimilimi nuk duhet të jetë çmimi që paguajmë për t'u pranuar. Ndoshta ky është një mësim që duhet ta kuptojmë edhe ne shqiptarët e emigracionit. Sepse fëmijëve tanë nuk u lëmë vetëm një mbiemër apo një pasaportë. U lëmë një histori, një gjuhë, një kulturë dhe një identitet. Dhe nëse ata një ditë do të kenë mundësinë të prezantohen me krenari, pa pasur nevojë të shpjegojnë apo të justifikojnë se nga vijnë, atëherë do të kemi bërë diçka më shumë sesa t'i kemi integruar në një shoqëri të re, do t'u kemi mësuar të mos kenë kurrë turp nga vetvetja.
Por kjo është edhe përgjegjësi e Shqipërisë. Ajo duhet të dijë t'i tërheqë, t'i frymëzojë dhe t'i bëjë këta të rinj të ndihen pjesë e saj, edhe kur jetojnë mijëra kilometra larg.
Në të kundërt, një ditë mund të zbulojmë se nuk kemi humbur vetëm njerëzit që u larguan, por edhe fëmijët dhe nipërit e tyre, të cilët nuk do të kenë më asnjë arsye të kthejnë sytë nga vendi i të parëve. Sepse një komb nuk e humbet identitetin vetëm kur i braktisin qytetarët e tij. E humbet atëherë kur brezat që lindin larg tij nuk ndiejnë më asnjë lidhje me të. Prandaj mesazhi i Senatorit me te ri te Michiganit ka një domethënie shumë më të gjerë se historia e tij personale. Ai u drejtohet të gjithë atyre që besojnë se mund të jenë pjesë e një shoqërie të re, të respektojnë vendin ku jetojnë dhe njëkohësisht të mos mohojnë vendin prej nga vijnë. Të respektosh shoqërinë ku ndërton jetën nuk do të thotë të harrosh rrënjët e tua.Sepse, në fund të fundit, nuk ka asgjë më të bukur sesa të mund të thuash me krenari, kudo që të ndodhesh "Më quajnë Abdulrahman Mohamed El-Sayed'
auron tare
Insights
4 November 2026, 15:18
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të “Channel 5”, deklaroi se mafia shqiptare nuk...
Insights
2 November 2026, 18:23
Auron Tare
Auron Tare
Gati një muaj më parë, në Uashington DC, Shqipëria firmosi një dokument për t'u bërë pjesë e prog...
Insights
29 October 2026, 20:25
Auron Tare
CINCINATI
Diku, në pranverën e vitit 458 para Krishtit, dy lajmëtarë të Senatit romak kaluan Tiberin dhe, në një arë t&...
Insights
27 October 2026, 13:39
Auron Tare
Disa vite më parë, me nje xhest për tu lëvduar Kryeministri i Shqipërisë nderoi Lasgush Poradecin, poetin e madh të shqiptar...
Insights
26 October 2026, 14:16
Ditmir Bushati
Ditmir Bushati
Regjimi katërmbëdhjetë vjeçar i Aleksandar Vučić përfundoi. Serbia u çlirua, si pasojë e rezistencë...
Insights
22 October 2026, 11:05
Prof.Romeo Hanxhari
Prof.Romeo Hanxhari
Jemi të gjithë kundër dhunës. Cila është dhuna? Ja raste të dhunës publike që ka kohë q&...
Insights
21 October 2026, 18:31
Jona Dividi
A është çdo deformim një zgjedhje artistike?
Kohët e fundit po shohim gjithnjë e më shumë figura publike dhe historik...
Insights
20 October 2026, 10:23
Paul Lendvai
Edi Rama
Pothuajse njëkohësisht me demonstratat masive në Francë, u raportuan protesta kundër politikave qeveritare nga kryeqyteti i ...
Insights
19 October 2026, 14:11
Çim Peka
Një kryeministër që i paraqet gazetarët si armiq të policisë po përgatit alibinë për çdo abuzim ndaj tyre. ...
Insights
18 October 2026, 20:44
Çun Lajçi
Edi Rama
Sot në mëngjes e pashë njanin tue folë me vetveten. M’erdhi gjynah!Ishte futë ma në fund në zyrën e Kry...