3 November 2026, 10:15
Nga Auron Janku

Shqipëria po ndjek episodin e radhës të një reality show politik. Këtë herë protagonistët janë Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përplasja mes tyre ka pushtuar ekranet, portalet, studiot televizive dhe bisedat publike, sikur fati i vendit të varej nga rezultati i këtij dueli personal.
Por, përpara se të pyesim kush po ia bën gropën kujt, duhet të pyesim: Pse duhet të jetë kjo historia kryesore e Shqipërisë?
Kemi përpara një përplasje brenda së njëjtës strukturë politike, mes dy njerëzve që kanë ndarë pushtetin, vendimmarrjen dhe përgjegjësitë. Sot, kur marrëdhënia e tyre duket se ka marrë fund, publikut i serviret një dramë me të gjitha elementet e spektaklit: akuza, kundërakuza, pretendime për presione, deklarata, përgënjeshtrime dhe personazhe që shfaqen sipas nevojës së skenarit.
Në vend të transparencës institucionale dhe verifikimit të pavarur, kemi një gjyq publik në studiot televizive. Akuzat duhen hetuar dhe provuar, por as mohimet nuk përbëjnë përgjigje përfundimtare. Në një shtet normal, përgjegjësia nuk përcaktohet nga zhurma, por nga ligji.
Ndërkohë, media është turrur pas konfliktit, sikur të ishte ngjarja më e rëndësishme e jetës sonë publike. Kush është më i fortë? Kush është më burrë? Kush po tradhton kë? Kush mbron idealet? Kush po ia përgatit fundin tjetrit? Studio të mbushura me analistë, ekspertë dhe parashikues të fatit politik, sikur Shqipëria të ishte një kazino ku bastet vendosen mbi kokën e kujt do të bjerë së pari.
Por kush analizon dështimin e institucioneve? Kush kërkon llogari për paratë publike, ekonominë, drejtësinë, largimin e njerëzve dhe besimin e humbur te shteti? Apo këto nuk kanë audiencë të mjaftueshme?
Kur spektakli zë vendin e gazetarisë, publiku nuk informohet më për pushtetin; ai argëtohet me të. Media duhet të kontrollojë pushtetin, jo të bëhet skena ku ai luan rolin e vet.
Është pothuajse komike të shohësh njerëz që deri dje ndanin të njëjtin pushtet, të njëjtat vendimmarrje dhe të njëjtat përgjegjësi, të na shfaqen sot si mbrojtës të parimeve. Papritur, njëri zbulon gabimet e tjetrit, sikur deri dje të kishte jetuar në një shtet tjetër. Po përgjegjësia e përbashkët ku ishte? Apo edhe ajo, si shumë gjëra të tjera në politikën shqiptare, ka afat skadence?
Historia jonë politike njeh mirë këtë model: këtu shahen, këtu akuzohen, këtu kërcënohen dhe nesër mund të pajtohen. Aleancat ndërtohen mbi interesin, prishen kur interesat ndryshojnë dhe rindërtohen kur rrethanat e kërkojnë. Ajo që dje quhej ideal, sot bëhet pengesë; ajo që dje quhej tradhti, nesër pagëzohet kompromis.
Nuk është e domosdoshme që dikush ta ketë projektuar këtë konflikt si një skenar të përbashkët. Por rezultati është i dukshëm: një vend i tërë merret me fatin politik të dy individëve, ndërsa problemet që prekin miliona qytetarë mbeten në hije. Nëse konflikti është i vërtetë, duhet të na interesojë çfarë zbulon ai për mënyrën se si funksionon pushteti. Nëse është thjesht një përplasje interesash, aq më pak kemi arsye ta ngatërrojmë me një betejë për parime.
Kur vëmendja publike zhvendoset nga problemet e sistemit te sherret e protagonistëve, politika fiton kohë dhe qytetari humbet edhe një herë.
Politika është biznes serioz. Shteti është përgjegjësi serioze. Por në Shqipëri, shpesh, qytetarit i ofrohet vetëm cirku. Dhe ky nuk është një spektakël ku mund të ndërrosh kanalin. Ai paguhet me taksat tona, pasojat i mbartin qytetarët dhe vendimmarrja ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Në një demokraci, pushteti nuk është pronë private, bashkia nuk është çiflig politik dhe qeveria nuk është kompani e një individi. Nëse ka pasur presion ndaj një të zgjedhuri vendor, duhet hetuar. Nëse ka shkelje ligjore, duhet provuar dhe ndëshkuar. Nëse ka abuzim me detyrën, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe institucionale. Por këto çështje nuk mund të shndërrohen në një betejë për kontrollin e skenës politike.
Në këtë teatër, qytetarit i është rezervuar gjithmonë i njëjti rol: të duartrokasë, të zemërohet, të zgjedhë një palë dhe të presë episodin tjetër. Ai nuk pyetet për skenarin, por paguan biletën. Dhe bileta është gjithnjë më e shtrenjtë se shfaqja.
Ndoshta Big Brother-i më i madh nuk është ai që shohim në ekran. Është ai në të cilin jetojmë çdo ditë. Politikanët ndërrojnë aleanca, maska dhe armiq, shpallin fitore dhe premtojnë ideale të reja. Kamerat ndjekin çdo lëvizje të tyre, ndërsa askush nuk pyet se kush po kontrollon kontrolluesit.
Në këtë lojë, politikanët luajnë, media komenton, ndërsa populli paguan.
Dhe kur të mbarojë ky episod, mos u habisni nëse protagonistët pajtohen, kamerat zhvendosen diku tjetër dhe gjithçka vazhdon si më parë. Personazhet ndryshojnë, por skenari mbetet i njëjtë.
Sepse tragjedia e Shqipërisë nuk është se kush po fiton luftën brenda pushtetit. Tragjedia është se pushteti vazhdon të fitojë mbi qytetarin.
Nuk na duhet një episod i ri. Na duhet të ndryshojmë skenarin, regjisorin dhe, mbi të gjitha, rregullat e lojës. Sepse shteti nuk është Big Brother-i i askujt. Dhe populli nuk është audienca e politikanëve të vet.
Auron Janku
Editorial
3 November 2026, 10:09
Irena Beqiraj
Në historinë e Benito Mussolinit ka një episod që meriton të kujtohet sa herë flasim për marrëdhënien mes një...
Editorial
29 October 2026, 11:17
Auron Janku
Auron Janku
Në daljen e tij të fundit publike, Kryeministri iu drejtua një pjese të popullit të pakënaqur me fjalët “...
Editorial
27 October 2026, 13:48
Meri Lika
Meri LIka
Sot, ndërsa Tirana ende mban gjurmët e protestave të javëve të fundit, qeveria e nisi ditën me një lajm për ...
Editorial
26 October 2026, 11:25
Agim Nesho
Aleksandër Vucic nuk ishte vetëm një lider i fortë nacionalist në Ballkan. Ai ishte përfaqësues dhe zbatues i një proje...
Editorial
26 October 2026, 10:20
Meri Lika
Meri Lika
Ekziston një metaforë e fuqishme që ka përshkuar dekadat, duke u shndërruar në sinonim të dinjitetit të pap&...
Editorial
22 October 2026, 17:23
Zef Preci
Zef Preci
Modelet shoqërore dhe protestat
Në shkencat sociale e politike, “role model” është personi që merret si s...
Editorial
22 October 2026, 10:10
Auron Janku
Kur revolta duhet t’i hapë rrugën mosbindjes civile
Ka një çast në jetën e çdo shoqërie kur pakënaqë...
Editorial
21 October 2026, 13:20
Agim Nesho
Agim Nesho
Kur Rama & Co. e quajtën revolucionin e studentëve Antifa, me qëllim ta barazonin revoltën në Shqipëri si në...
Editorial
21 October 2026, 10:34
Irena Beqiraj
Irena Beqiraj
Në demokraci, partitë vijnë në pushtet me votë jo individi . Kur mandati elektoral katandiset në kontratë pro...
Editorial
19 October 2026, 17:15
Auron Janku
Auron Janku
Qeveria nuk mund të flasë si opozitë ndaj rreziqeve që ka detyrë të administrojë. Vota është akt...