9 November 2026, 10:20
Nga Auron Janku
Auron Janku
Një popull që kërkon vazhdimisht një sundimtar më të mirë, ndoshta nuk e ka kuptuar ende se problemi nuk është sundimtari, por vetë sistemi i sundimit. Ka një pyetje që përsëritet në Shqipëri sa herë që një pushtetar abuzon, humbet besimin apo bëhet i papranueshëm: «Mirë, të ikë ky, por kush do të vijë?» Në pamje të parë duket pyetje e arsyeshme. Në të vërtetë, është një nga pyetjet më domethënëse për të kuptuar raportin tonë me demokracinë. Sepse tregon se ende kërkojmë një njeri më të mirë, në vend që të kërkojmë një sistem që të mos lejojë askënd të bëhet më i keq. Pse duhet të na shqetësojë kaq shumë se kush do të ulet në karrige, kur problemi është se çfarë mund të bëjë ai pasi të ulet?
Duket sikur, edhe pas gjithë këtyre viteve, ende nuk kemi dalë nga shtëpia patriarkale shqiptare. Aty ku i madhi vendoste, të tjerët bindeshin dhe kundërshtimi konsiderohej mungesë respekti. Një model ku autoriteti nuk fitohej përmes përgjegjësisë, por buronte nga pozita, mosha apo forca. Shtetin vazhdojmë ta imagjinojmë si një familje të madhe, ku duhet një kryefamiljar i fortë, që vendos për të gjithë dhe, mundësisht, nuk pyet askënd. Ndryshuam flamuj, kushtetuta, parti, udhëheqës dhe slogane, por nuk arritëm të ndryshojmë marrëdhënien tonë me pushtetin. Kërkojmë një njeri që të na zgjidhë problemet, pastaj zemërohemi kur ai fillon të sillet sikur shteti është prona e tij.
Këtu fillon paradoksi shqiptar. Kur pushtetari abuzon, kujtohemi se kemi të drejta. Kërkojmë demokraci, liri, drejtësi, barazi para ligjit dhe institucione të pavarura. Por sapo dikush fiton zgjedhjet, duket se harron se ka marrë një mandat për të qeverisur dhe jo një akt pronësie mbi shtetin. Demokracia bëhet dekor, institucionet zgjatime të vullnetit personal, ndërsa vendimmarrja merr formën e një sulltanati modern. Pushteti fitohet me votë, por ushtrohet me mentalitet trashëgimie. Dhe pastaj çuditemi! Mos vallë demokracia është tepër e sforcuar për mentalitetin tonë?
Mos vallë na pëlqejnë të drejtat demokratike vetëm kur jemi në opozitë, ndërsa kur vijmë në pushtet na bezdisin kufizimet që ato vendosin? Ndoshta duhet të rikthejmë monarkinë! Të kemi një mbret të përhershëm, të mos lodhemi çdo katër vjet me fushata,vjedhje, premtime dhe debate. Të paktën do të kursenim paratë e zgjedhjeve dhe iluzionin se po zgjedhim përfaqësues, kur në të vërtetë duket sikur po kërkojmë një sundimtar të ri. Në fund të fundit, kemi shpikur një model interesant: monarki pa kurorë, me mbret të zgjedhur dhe me mandat katërvjeçar. Mbreti ndryshon, oborri mbetet, ndërsa populli vazhdon të paguajë shpenzimet e pallatit. Ironia është se këtë e quajmë demokraci.
Por problemi nuk është vetëm te pushtetarët. Është edhe te mënyra se si i perceptojmë ata. Një pjesë e shoqërisë vazhdon ta gjykojë politikën përmes personazheve, jo përmes parimeve. Njëri është më i mirë se tjetri, ky është më pak i keq, ai të paktën na njeh, tjetri na premton më shumë. Kështu, debati politik reduktohet në një konkurs karakteresh, ndërsa çështja themelore, ndërtimi i shtetit, mbetet jashtë skenës. Nuk pyesim çfarë pushteti duhet të ketë qeverisja, por kush do të ketë pushtetin. Kjo është diferenca midis një shoqërie që kërkon shtet dhe një shoqërie që kërkon zot.
Nuk po kërkojmë që askush të mos qeverisë. Po kërkojmë që askush të mos sundojë. Dallimi është thelbësor. Në një shtet demokratik, pushteti është i përkohshëm, i kufizuar dhe i kontrollueshëm. Institucionet nuk i përkasin fituesit, ligji nuk ndryshon sipas interesit të tij dhe qytetari nuk është subjekt i mirësisë së pushtetarit. Ai është burimi i sovranitetit. Prandaj nuk na duhet një shpëtimtar tjetër. Na duhet një marrëveshje e re shoqërore, një shtet i ndërtuar mbi rregulla që nuk varen nga karakteri apo ambicia e atij që qeveris: mandate të kufizuara, institucione të pavarura, drejtësi që nuk njeh zot, zgjedhje të ndershme, përfaqësim real dhe mekanizma që e bëjnë qytetarin pjesëmarrës në vendimmarrje, jo spektator të saj. Një sistem që funksionon vetëm kur në krye është njeriu i duhur, nuk është shtet demokratik. Është një bast i përsëritur me fatin e një populli.
Ndoshta pyetja e vërtetë nuk është «Kush do të vijë pas këtij?». Është: «Çfarë duhet të ndryshojmë që, pavarësisht se kush vjen, askush të mos ketë mundësinë të sillet si sulltan?» Dhe këtu qëndron prova jonë si shoqëri: a duam vërtet të jemi qytetarë të lirë, apo thjesht duam një sundimtar që të sillet mirë me ne? Sepse një popull që kërkon vazhdimisht një mbret më të mirë, nuk e ka rrëzuar monarkinë. Thjesht po organizon zgjedhje për fronin.
NUK NA DUHET NJË MBRET MË I MIRË. NA DUHET NJË SHTET KU ASKUSH NUK MUND TË BËHET MBRET.
Auron Janku
Editorial
9 November 2026, 10:16
Agim Nesho
Agim Nesho
Represioni policor i Ramës ndaj protestës popullore nuk është shenjë e mbajtjes së pushtetit, por rritjes së cmi...
Editorial
8 November 2026, 07:42
Irena Beqiraj
Shqipëria ka prodhuar gjatë tri dekadave të fundit një numër të konsiderueshëm njerëzish të pasur. Disa e kanë...
Editorial
6 November 2026, 21:10
Eugen Beçi
Eugen Beçi
Miratimi i Vendimit Nr. 13, datë 2.11.2026, nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese — përmes të...
Editorial
3 November 2026, 10:15
Auron Janku
Shqipëria po ndjek episodin e radhës të një reality show politik. Këtë herë protagonistët janë Kryeministri Edi Ra...
Editorial
3 November 2026, 10:09
Irena Beqiraj
Në historinë e Benito Mussolinit ka një episod që meriton të kujtohet sa herë flasim për marrëdhënien mes një...
Editorial
29 October 2026, 11:17
Auron Janku
Auron Janku
Në daljen e tij të fundit publike, Kryeministri iu drejtua një pjese të popullit të pakënaqur me fjalët “...
Editorial
27 October 2026, 13:48
Meri Lika
Meri LIka
Sot, ndërsa Tirana ende mban gjurmët e protestave të javëve të fundit, qeveria e nisi ditën me një lajm për ...
Editorial
26 October 2026, 11:25
Agim Nesho
Aleksandër Vucic nuk ishte vetëm një lider i fortë nacionalist në Ballkan. Ai ishte përfaqësues dhe zbatues i një proje...
Editorial
26 October 2026, 10:20
Meri Lika
Meri Lika
Ekziston një metaforë e fuqishme që ka përshkuar dekadat, duke u shndërruar në sinonim të dinjitetit të pap&...
Editorial
22 October 2026, 17:23
Zef Preci
Zef Preci
Modelet shoqërore dhe protestat
Në shkencat sociale e politike, “role model” është personi që merret si s...